
1 МАЈ Е РЕВОЛУЦИОНЕРНА СИЛА НА ИДНИНАТА!
Shokë dhe shoqe punëtorë!
Agimi Socialist dhe Qendra Sociale Dunja ju ftojnë në protestë masive të 1 Majit në Shkup. Të enjten, më 1 Maj, mblidhemi para monumentit të sindikatave të URS-së (përballë “Jugodrvo”) në orën 11:00.
Më vonë, i bashkohemi protestës së Federatës së Sindikatave të Maqedonisë. Le të tregojmë këmbëngulje, unitet dhe vendosmëri në luftën kundër armiqve të punëtorëve – partive politike borgjeze, shtetit kapitalist dhe odave ekonomike!
1 MAJI është një simbol i luftës së punëtorëve të bashkuar në të gjithë botën për një ditë pune tetë-orëshe. Por 139 vjet pas grevës në Çikago, ku jemi ne sot?
Sot, megjithëse produktiviteti i punës është rritur disa herë për shkak të zhvillimit teknologjik, dita e punës nuk është zvogëluar, por përkundrazi, në shumë industri java e punës zgjat ende deri në 48 orë. Në të njëjtën kohë, mjetet që marrim në këmbim të punës sonë mjaftojnë vetëm për mbijetesë, prandaj jemi të detyruar të bëjmë punë shtesë. Nga ana tjetër, numri i punëtorëve honorarë, të cilët janë të privuar nga përfitimet e sigurimeve shëndetësore dhe pensionale është në rritje.
Çfarë na tregon e gjithë kjo në prag të 1 majit të vitit 2025 në Maqedoni? Kjo na tregon se dita internacionale e punës është shndërruar në një totem të padëmshëm, i ngritur në një festë kombëtare, për ngushëllim, por edhe mashtrimin e punëtorëve ende të shtypur. Është zbrazur çdo thelb revolucionar, është transformuar në një ditë pushimi nga shfrytëzimi i tepërt ose në një ditë tjetër për ta kaluar në altarin e konsumizmit.
Punëtorët kanë pasur mundësinë në vitet e fundit të shohin se vetëm përmes organizimit sindikal mund të luftojnë për paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Fakti që sindikatat kanë siguruar një sërë përfitimesh për punëtorët e sektorit publik, sigurisht pas një sërë grevash, është një tregues i drejtimit në të cilin duhet të lëvizin punëtorët e sektorit privat. Të vetmit që përfitojnë nga përçarja e punëtorëve në të gjitha aspektet, përfshirë ata të punësuar në sektorin publik dhe privat, janë odat ekonomike dhe shteti kapitalist.
Socialistët në Maqedoni janë aleatë të sindikatave, me të drejtë kritike të pamëshirshme kur aktiviteti i tyre ngec brenda kornizës së të ashtuquajturit “dialog social”. Kjo është arsyeja pse ne, i jemi bashkuar pothuajse çdo proteste deri më tani, kjo është arsyeja pse ne, kemi mbështetur çdo grevë. Por, për sa i përket protestave dhe grevave, ne besojmë se fokusi i luftës sindikale është i kufizuar vetëm në shumën e pagës nominale, gjë që lë hapësirë për manipulim dhe zhvlerësim të mëtejshëm të vlerës reale të pagës. Kjo është arsyeja pse këtë 1 Maj, si bllok antikapitalist, po paraqesim slogane dhe kërkesa të veçanta, duke u përqendruar në luftën kundër skllavërisë së pagave, luftën kundër diktaturës së kapitalit dhe luftën për të ulur orarin e punës në 30 orë në javë.
Pavarësisht të gjitha identiteteve etnike, fetare, gjinore, seksuale etj., ne punëtorët kemi të njëjtat interesa klasore! Ne luftojmë që puna jonë të vlerësohet dhe të paguhet siç duhet, ne luftojmë për kushte më të mira pune dhe jetese. Prandaj, është e nevojshme të luftohet kundër vetë shoqërisë klasore, nga e cila burojnë shtypja dhe shfrytëzimi. Në luftën për emancipim nga hegjemonia kapitaliste, ne kemi aleatë ndërkombëtarë, këta janë punëtorët anembanë botës.
Në këto kushte, kur shteti kapitalist dhe odat ekonomike shtrëngojnë litarin rreth sindikatave dhe punëtorëve, përgjigjja jonë duhet të jetë e qartë dhe e drejtuar kundër diktaturës së kapitalit. 1 Maji mund të ngrihet përsëri, për t’u bërë një forcë revolucionare për punëtorët!
1 Maji është një protestë kundër ligjeve kapitaliste që garantojnë lirinë e kapitalistit për të përdorur skllavërinë me pagë, 1 Maji është një protestë kundër gjyqësorit anti-punëtor që është në aleancë me kapitalin, 1 Maji është një protestë kundër shfarosjes imperialiste të popujve të pambrojtur, kundër buxheteve ushtarake dhe industrisë ushtarake.
Të jesh në anën e duhur të historisë në këto momente të rëndësishme për njerëzimin, është më pak privilegj, dhe më shumë detyrë! Punëtorë, nuk kemi asgjë për të humbur përveç zinxhirëve tanë, ndërsa të bashkuar mund ta fitojmë të gjithë botën!